A është globalizimi i mirë për botën muslimane? - Mirësia Islame

A është globalizimi i mirë për botën muslimane?

Sot, kur vjen puna për t’u diskutuar në qarqet shkencore dhe në masmedia ndikimi i globalizimit mbi botën islame, në debat sillen vetëm aspektet negative të këtij procesi. Bota islame e gjeti veten në kapërcyell të shekullit në qendër të…


Publikuar:

Sot, kur vjen puna për t’u diskutuar në qarqet shkencore dhe në masmedia ndikimi i globalizimit mbi botën islame, në debat sillen vetëm aspektet negative të këtij procesi.

Bota islame e gjeti veten në kapërcyell të shekullit në qendër të proceseve të globalizimit, të zhvilluara në planetin tonë në një përqindje në rritje dhe duke e ndryshuar karakterin e tyre teknik nga pikëpamja shkencore në një të tillë politik nga pikëpamja sociale. Pas ngjarjeve të 11 shtatorit erdhëm madje te një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake  e SHBA-ve dhe e aleatëve, që synonin, siç u shpreh Shtëpia e Bardhë, ta demokratizonin botën islame dhe t’i jepnin trajtë një “Lindje të Mesme të re”.

E megjithatë, proceset e globalizimit nuk kufizohen me çka u përmendën më sipër. Globalizimi, duke qenë një proces objektiv, nxit dhe sjell tendencat më të larmishme në botën islame, e ato konstruktive dhe perspektive midis tyre. Këto shndërrime janë me interes të veçantë, sepse ato jo vetëm po e ndryshojnë seriozisht hartën e botës islame, por gjithashtu po ndikojnë mbi rendin ndërkombëtar në formimin e tij.

Nocioni i botës islame vetëm tani është shkëputur plotësisht nga dimensioni i vet gjeografik. Eshtë pikërisht në saje të përfitimit nga globalizimi që bota islame është bërë një fenomen eksterritorial ndërkombëtar politik, fetarisht, dhe kulturor, shoqërisht, që pretendon për një pjesëmarrje serioze në punët e botës, pas të qenit një bashkësi vendesh të hapësirës së gjerë muslimane.

Identiteti i ri musliman transnacional

Nën ndikimin e proceseve të globalizimit po merr formë një identitet i ri transnacional musliman dhe ideologjia pasuese. Sot mund të takosh në thuajse çdo cep të botës islame të tillë “muslimanë të rinj” apo “ulema të re”.

Vetëdija e tyre karakterizohet nga globaliteti. Ata janë të orientuar nga marrja në konsideratë e trashëgimisë së tyre dhe e tërë njerëzisë, duke qenë të njohur njëlloj mirë me të dyja. Detyra e këtyre njerëzve është të riformatojnë bazën ideologjike të botës islame, duke ofruar rrugë origjinale për përtëritjen dhe modernizimin islam. Kjo kategori njerëzish mund të japë një kontribut të rëndësishëm për ndryshimin e pamjes së diasporave dhe vendeve islame në shekullin e 21-të.

Në të njëjtën kohë, diasporat muslimane të vendeve perëndimore që po nisin të përparojnë në pozicione udhëheqëse në botën muslimane, të lindura dhe të zhvilluara nga përfitimi i proceseve të globalizimit, shfaqin aftësinë për të formuluar një përgjigje adekuate të Islamit ndaj sfidave moderne. Në tërësi, pakicat muslimane, diasporat, po përbëjnë tani një të katërtën e ummetit musliman të botës.

Ky mjedis paraqitet me një numër goxha të madh (së paku, krahasuar me vendet e hapësirës së gjerë muslimane) muslimanësh aktivë dhe tejet të shkolluar, të vetëdijshëm për realitetet e jetës perëndimore, e në gjendje për ta marrë në konsideratë në mënyrë kritike trashëgiminë e filozofisë dhe kulturës perëndimore nga një këndvështrim islam.

Nëse për brezin e parë të emigrantëve kishin rëndësi më të madhe çështjet ekonomike, është e zakonshme që fëmijët dhe nipëri e tyre të kenë interes të lartë për çështjet e besimit, identitetit, gjuhës, e trashëgimisë kulturore. Këto pakica po punojnë sot në mënyrë aktive në fushën e arsimit, në administratën lokale, dhe në masmediat e tyre. Xhamitë dhe mesxhidet, numri i të cilëve po rritet vazhdimisht, luajnë rolin jo vetëm të qendrave fetare, por dhe politike, duke organizuar kurse gjuhe, duke dhënë ndihmë ligjore, dhe, çfarë është më e rëndësishmja, duke u bërë qendra të komunikimeve muslimane.

Qendrave tradicionale të hapësirës muslimane, të përfaqësuara nga ca vende arabe, po u bashkohen tanimë vende islame të Azisë juglindore (Malajzia mund të nënvizohet posaçërisht në këtë pikëpamje), që e kanë shtuar peshën e tyre me anë të pjesëmarrjes ekonomike në proceset e globalizimit. Nën efektin e proceseve të globalizimit, dhe si rezultat i tyre, nuk duhet përjashtuar nisja e integrimit rajonal të botës muslimano-arabe, e forcimit të botës muslimano-turkike dhe e bashkësisë islame ruse, si dhe integrimi i përgjithshëm i botës islame mbi parime të reja, fare pak të dallueshme sot.

Këtu është e rëndësishme të vihet në dukje se integrimi i ri i vendeve të hapësirës së gjerë muslimane mund të sigurojë një aleat të ri, të përfaqësuar nga diasporat e shumta muslimane, e ato të vendeve perëndimore në vend të parë. Dhe e gjithë kjo do të lejojë forcimin e rolit të tërë botës muslimane në konfliktin e përgjithshëm global të aktorëve udhëheqës politikë, që po i jep formë rendit të ri botëror. Bota islame ka mundësinë për të siguruar një numër epërsish të  rëndësishme: ajo mund të veprojë menjëherë në sferën ndërshtetërore (nëpërmjet shteteve me popullsi muslimane), në sferën ideologjike (përmes sistemit të diasporave, bashkësive, lëvizjeve, OJQ-ve ndërkombëtare islame, etj.), në sferën fetaro-shpirtërore (përmes rrjetit të xhamive dhe qendrave islame). Po ashtu mund të shtojmë këtu faktin se diasporat islame ekzistojnë në ditët e sotme në të gjitha vendet anembanë botës.

Eshtë e qartë se qendrat e pushtetit rreth e rrotull botës do të duan të sigurojnë mbështetjen e vendeve të hapësirës muslimane në rritjen e rivalitetit në arenën ndërkombëtare, që inkurajon krijimin e termit “shtetet mike të muslimanëve”.

Ndikimi i globalizimit

Nën ndikimin e proceseve të globalizimit janë forcuar veçoritë kulturore, ideologjike dhe social-kulturore të botës muslimane, dhe është në udhë e sipër formimi i një vetëdije të re politike transnacionale të muslimanëve.

Falë cilësisë së masmedias panarabe të shfaqur së fundi, e cila shfrytëzon përvojën dhe arritjet e gazetarisë perëndimore, është krijuar një hapësirë e re informativo-kulturore, ideologjike, e madje teologjike. Ndikimi i tyre nuk është kufizuar me vendet arabe. Këto masmedia shihen nga njerëz rreth tërë botës islame, sepse arabishtja mbetet ende gjuha e komunikimit ndërkombëtar të të gjithë muslimanëve, e veçanërisht e elitës islame.

Nga të parët që do t’i shfrytëzonin avantazhet e globalizimit ishin bankat dhe kompanitë që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me normat e ligjit sheriatik.

Një tjetër fakt që tregon për ndikimin e globalizimit mbi bashkësinë muslimane të botës është ai i rritjes së sasisë së literaturës, ngurtësisht fetare apo të lidhur me tema të tjera, të botuar në anglisht, në gjuhën e internetit dhe të globalizimit.

Gjithashtu është me rëndësi të vihet në pah se gjuhët kombëtare të muslimanëve po nisin nën efektin e proceseve të globalizimit të qëndrojnë pranë arabishtes, persishtes dhe urduishtes, të përdorura më herët nga teologët dhe mendimtarët muslimanë. Në këtë pikëpamje, një dijetar i mirënjohur malajzian, Sejjid Muhammed Nakib el-Attasi, futi madje nocionin e veçantë të “gjuhës islame”, që ai e kupton si “shtënie të një fjalori bazë të termave islamë në gjuhët e popujve muslimanë”.

Globalizim i oksidentalizuar?

Ndërkaq, vetëdija masive e muslimanëve ende e percepton globalizimin si një drejtim shumë negativ.

Globalizimi konsiderohet të jetë një “gjethe fiku” që mbulon dëshirën e qarqeve sunduese të SHBA-ve dhe të vendeve të tjera perëndimore për t’i imponuar me forcë një rend të tillë botëror tërë njerëzimit, duke përfshirë muslimanët, që do të përkojë ekskluzivisht me interesat e tyre. Nisma të ndryshme në botën muslimane, si operacionet në Afganistan dhe në Irak, mbështetja amerikane për Izraelin, përmendja e vendeve të tjera islame si pjesë të “boshtit të së keqes”, konsiderohen në mënyrë të argumentueshme të mos jenë asgjë tjetër, veç një luftë kundër Islamit, e nganjëherë, në rrethe të gjera popullore, si një kryqëzatë e re.

Shumë muslimanë janë veçanërisht të indinjuar me “makdonaldizimin” dhe “kokakolonizimin” e kulturës, që i shkatërrojnë traditat e vjetra. Produkteve lokale u duhet sot t’i imitojnë produktet ndërkombëtare për të mbijetuar.

Për më tepër, bizneset e mëdha dhe ndikimi amerikan e kanë sjellë planifikimin dhe arkitekturën e stilit amerikan në vendet e Gjirit. Janë zhdukur arkitektura tradicionale, pazaret orientale dhe kafenetë, dhe vendin e tyre e kanë zënë qendrat tregtare, lokalet e ushqimit të shpejtë, restorantet dhe hotelet. Edhe Meka, qyteti i shenjtë i Islamit, nuk mund t’i shmangej këtij fati.

Por veç reagimit të fortë negativ të botës muslimane ndaj globalizimit, ka përpjekje për ta parë në mënyrë kritike dhe për të dhënë një përgjigje konceptuale për të. Revolucioni intelektual islam po ngjet në shumë pjesë të botës muslimane, si dhe në bashkësitë islame në Perëndim.  

Me fjalë të tjera, globalizimi aktual polemizues, bashkë me problemin e konsumit dhe të shpërbërjes së botës muslimane, ka gjithashtu një efekt paradoksal të kundërt. Ai nxit zgjimin dhe modernizimin e botës muslimane mbi bazën e themelit të saj teoriko-ideal, të rishqyrtuar brenda kontekstit të modernitetit. Bashkë me vendosjen e një modeli të unifikuar kulturor dhe ideologjik, të përshtatur me standardet neoliberale perëndimore, globalizimi, sado e çuditshme të duket, stimulon shfaqjen e një formati të ri të botës islame, dhe i jep një impuls shtesë procesit të zgjimit të saj. Ky i fundit ka një perspektivë serioze për t’u bërë jo vetëm një proces thelbësisht i rëndësishëm për vetë botën islame në shekullin e 21-të, por në të njëjtën kohë do të ndikojë në zhvillimin e të gjithë njerëzisë

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim