Vuajtjet janë pjesë e jetës, por ato tejkalohen - Mirësia Islame

Vuajtjet janë pjesë e jetës, por ato tejkalohen

Secili njeri ka vuajtje, disa më shumë e të tjerët më pak. Askush nuk është i liruar nga vuajtjet. Roland Barthes këtë e tha me pak fjalë: “Secili prej nesh ka ritmin e vet të vuajtjes.” Ndërsa Judy Collins për…


Publikuar:

Secili njeri ka vuajtje, disa më shumë e të tjerët më pak. Askush nuk është i liruar nga vuajtjet. Roland Barthes këtë e tha me pak fjalë: “Secili prej nesh ka ritmin e vet të vuajtjes.” Ndërsa Judy Collins për vetveten deklaroi: “Është e vërtetë se unë kam pasur dhimbje dhe tragjedi në jetën time. Këto janë gjëra që askush prej nesh nuk shmanget. Vuajtja është çmimi i të qenit gjallë.”

Vuajtja nuk është vetëm ajo që të ka goditur apo problemi që ti je ballafaquar me të. Vuajtja është edhe ajo që të mungon. A nuk keni parë të papunësuarin që vazhdimisht kërkon punë dhe të paditurin që kërkon dituri? Sigurisht se po. Mirëpo vuajtja më e rëndë ajo që të godet ty dhe ajo që ti je sprovuar me të, sikurse varfëria që e ka goditur të varfrin, verbëria të verbrin që dëshira e tij e vetme është ta shoh këtë jetë dhe t’i shoh njerëzit që i do, e gjërat tjera për të sigurisht se nuk kanë vlerë aq të madhe. Memeci si dëshirë të vetme ka të folurit, ngase prej saj është privuar, po i shurdhëri? Ai do të dëshironte t’i dëgjojë zërat e bukur. Pikërisht ata zëra që disa me dëgjim normal u janë mërzitur zërat e njerëzve. I çali dëshiron të ecë mirë, por mes dëshirës së tij është një pengesë.

Secili prej nesh e ka edhe anën e errët, ashtu sikurse hëna që e ka anën e errët të saj. Asnjëherë jeta nuk mund të paramendohet pa probleme e pa vuajtje. Të gjithë njerëzit kanë vuajtje, por secili ndryshon nga tjetri në vuajtje. Dikush vuajtjen e përjeton shumë rëndë, përderisa tjetri po të njëjtën vuajtje e përjeton shumë lehtë. Dikush nga një vuajtje thyhet dhe para saj dorëzohet, gjersa tjetri përmes saj bëhet më i durueshëm dhe më i fuqishëm. Poeti i mirënjohur Mutenebiu me pak fjalë ka përshkruar:

Syri i një personi të vogël

i bën gjërat e vogla të duken të mëdha,

ndërsa syri i një personi të madh

i bën gjërat e mëdha të duken të vogla.

Jeta është e mbushur me gurë, andaj mos u rrëzo në ta por mblidhi ata dhe ndërto shkallë që të ngjitesh drejt suksesit. Asnjëherë nuk duhet dorëzuar para një sfide a vuajtje. Vuajtjet janë sikurse pengesat në rrugën tënde, që nëse ndalesh mund t’i largosh nga rruga dhe të kalosh lirshëm. Është e kuptueshme që disa pengesa tejkalohen më lehtë, përderisa disa tjera largohen më me vështirë, por thuajse s’ka gjë që s’mund të largohet nga rruga. Mos harro se mundësitë në këtë jetë janë më të gjera dhe më të mëdha sesa vështirësitë. Vetëm pesimisti i bën vështirësitë më të mëdha, ngase nuk mendon në mundësitë reale për tejkalimin e vuajtjes apo pikëllimit, por mendon vetëm në vuajtje dhe në pikëllimin që e goditi atë, andaj ai edhe e pyet vetveten se përse e goditi ajo vuajtje, kurse harron ta pyet vetveten se si të dilet nga ajo vuajtje dhe si ta përfundon atë pikëllim.

Andaj edhe shohim njerëz që nga një vuajtje e vogël jetën e tyre e shndërrojnë në tragjedi, duke vajtuar pandërprerë për atë që i ka goditur, e që fare s’mendojnë se si të dalin prej asaj vuajtje dhe si t’ia sjellin gëzimin vetes. Sigurisht se ti nuk je i pari që shkele mbi rrugën e vuajtjes, sado e rëndë të jetë ajo për ty, mirëpo në atë rrugë hynë dhe kaluan miliona njerëz para teje, të cilët nuk u dorëzuan me atë që u ballafaquan, andaj edhe në tregimet e tyre ka urtësi dhe këshilla për atë që mendon.

E, nëse je në vuajtje, mendo se dikush tjetër është në vuajtje më të rëndë se sa ti, e ndoshta dikush vuajtjen tënde dëshiron ta ketë. Gjithnjë në këtë jetë ka vuajtje mbi vuajtje. Nëse sot je goditur me ndonjë vuajtje, kujto se dikush tjetër vuajtjen e njëjtë e vuan me muaj. E nëse ankon nga vuajtja me vite të tëra, dije se ndokush rënkon prej saj që nga lindja. Sigurisht se vuajtja jote nuk është më e madhja, ngase po t’i dëgjosh vuajtjet dhe pikëllimet e të tjerëve do t’ia shpërthesh vajit, do ta harrosh vuajtjen tënde dhe do të thuash: “Të falënderoj o Zot që nuk më ke sjellë një vuajtje të tillë!”

Fethullah Gylen në librin e tij “Rrugët e udhëzimit në ide dhe jetë”, ka sjellë një insert të shkurtër rreth vuajtjeve të mëdha që jeta i solli mendimtarit Said Nursi, që ky i fundit kur ka folur për jetën e tij, mes tjerash ka thënë edhe këto fjalë: “Përgjatë tërë jetës sime, 80 e ca vite, nuk kam shijuar asnjë prej kënaqësive të kësaj bote. E kam kaluar jetën nëpër arenat dhe fushëbetejat e luftës dhe në qelitë e errëta të robërve si një i prangosur, ose në burgjet e vendit dhe gjykatat e shtetit. Nuk besoj se ka mbetur ndonjë lloj i dhimbjen dhe i vuajtjes, të cilën nuk e kam shijuar. Jam trajtuar pikërisht si një kriminel në gjykatat ushtarake. Jam syrgjynosur në të gjitha anët e vendit si një i pastrehë. Jam privuar nga shoqërimi me njerëz për muaj të tërë, lidhur e prangosur nëpër qelitë e errëta. Në vazhdimësi, jam helmuar disa herë. U jam ekspozuar lloj-lloj nënçmimeve. Ka pasur ditë, kur me mijëra herë, më shumë dëshiroja të isha i vdekur se i gjallë, dhe po të mos ishte feja ime që e ndalon mbytjen e vetvetes, mbase Saidi tash do të ishte vetëm dhé, i varrosur nën dhé…”

Nga vuajtjet e jetës dolën njerëz të mëdhenj, të kalitur nga sprovat, vuajtjet dhe dëshpërimet e ndryshme. Shumica e librave me tematikë vuajtjen që janë shkruar nga autorë të përvuajtur janë bërë librat më të lexuara, për shkak se ata e kanë trajtuar më së miri atë, mbase edhe e kanë shijuar vuajtjen. Po të mos ishte dhimbja, sigurisht se nuk do të ishte as vuajtja. Vuajtja është ajo që na jep mësim nga gabimet tona. Vuajtja është mësues i madh. Si do ta njihnim gëzimin po të mos ishte vuajtja. Një proverb indian thotë: “Para se të shohim në mënyrën e duhur, duhet së pari të derdhim lotët tanë për ta pastruar rrugën.”

Shpeshherë fjalët janë të pafuqishme për ta shprehur një vuajtje apo një dhimbje, andaj edhe shpesh ndodh që kur ndokujt ia përshkruan një vuajtje tënde personale, të mos e përjetojë edhe aq rëndë. Dije se zjarri djeg aty ku bie dhe dhimbjen më së shumti e ndjen ai që e përjeton. Ai që e dëgjon ndodh të mos e përjetojë fare. Ndoshta edhe përshkrimi i vuajtjes është i mangët, ngase vuajtja është vështirë të përshkruhet me fjalë, ajo përjetohet nga zemra në zemër. Por, nëse ju me shpirtmirësi i afroheni zemrës së përvuajtur duke dëgjuar vuajtjen dhe pikëllimin e tij, sigurisht se do të dëgjoni tingujt pikëllues dhe zemrën e hapur për ju që dëshiron të shprehet lirshëm. Nëse e dëgjoni rrëfimin e të pikëlluarit dhe të përvuajturit, do t’ia pakësoni vuajtjen dhe do t’ia largoni pikëllimin.

Ndodh që dikë ta shihni në vuajtje dhe ajo vuajtje të ju mësojë juve më tepër se sa ta shihnit veten duke vuajtur siç vuan ai. Oscar Wilde kishte thënë: “Për t’u bërë spektator i jetës së ndokujt është t’i shpëtosh vuajtjeve të jetës.”

Vuajtja ndërton karakterin tonë, zemrën na bën më të përballueshme dhe shpirtin na zgjeron. Vuajtja na bën edhe më human dhe më të ndërgjegjshëm. Ajo na tregon se jeta është e tillë dhe pa të nuk mund të paramendohet jeta, mirëpo secila vuajtje tejkalohet dhe një ditë bëhet sikurse fare nuk ka ekzistuar.

Sado që problemet të shtohen dhe vuajtjet të rriten, asnjëherë nuk duhet dorëzuar para sfidave të jetës dhe vuajtjeve të saj. Nëse jeta ti tregon njëqind shkaqe për të qarë, tregoja asaj njëmijë sosh për të buzëqeshur. Nëse njëqind shkaqe të tregojnë se nuk ia vlen të jetosh këtë jetë, një zemër që të do të mjafton të jetosh. E nëse ditët e vuajtjes të kanë kapluar saqë jeta të është bërë e hidhur dhe errësira të ka mbuluar, kujto se pas vuajtjes vjen gëzimi sikurse pas errësirës që vjen drita. A nuk e di se pas errësirës së madhe të natës vjen agimi, sikurse pas vështirësisë që vjen lehtësimi?

Në librin tim “Të jetosh pa brenga” kam thurur fjali të mëdha që na tregojnë se pas vuajtjes vjen gëzimi: “Nga dëshpërimi dhe nga sprova nxirrni mësime të rëndësishme që ju duhen në jetën tuaj. Përmes tyre forcoheni dhe nuk përkuleni para çdo vështirësie, ndaj në raste të tilla mundoheni t’i ngjani shkëmbit të cilin nuk mund ta lëvizë as era e furishme…

Mos mendoni vetëm për dëshpërimin dhe vuajtjen e sotme, por mendoni për gëzimin e djeshëm dhe mendoni se si dita e nesërme do të jetë krejtësisht një ditë e re, e ndoshta gëzimin e djeshëm do ta sjellë pikërisht ajo dhe do ta largojë dëshpërimin e sotëm.

Ditët ndërrohen, të përvuajturit i kalojnë vuajtjet, të dëshpëruarve u kthehet gëzimi, vajtuesve u ndalën lotët, të sprovuarit i tejkalojnë sprovat, e të durueshmit i përgëzon durimi!”

Kur të kaplon vuajtja lexo këto fjalë madhështore:

“A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd? Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde, E cila shtypte shpinën tënde. Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde? E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi. E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurim (Allahut). Dhe, vetëm te Zoti yt përqëndro synimin!” Kur’ani, Inshirah: 1-8.

Mr. Ejup Haziri

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim