Ti je përplot vlera
DëgjoArtikullin Brenda zemrës së secilit person ekziston një dëshirë e madhe që ta arrin lumturinë dhe të jeton i lumtur. Secili individ ka ëndrrat, synimet dhe vizionet e tij për të qenë i lumtur. Jo e tërë ajo që ëndërrohet…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Brenda zemrës së secilit person ekziston një dëshirë e madhe që ta arrin lumturinë dhe të jeton i lumtur. Secili individ ka ëndrrat, synimet dhe vizionet e tij për të qenë i lumtur. Jo e tërë ajo që ëndërrohet realizohet. Por, nga ti varet gjithçka dhe ti je orientuesi i vetvetes. Andaj, ti mund të arrish të jetosh i lumtur. Leo Tolstoi kishte plotësisht të drejtë kur tha: “Nëse dëshiron të jesh i lumtur, bëhu.” Sigurisht se secili dëshiron të jetë i lumtur, por vetëm dëshira nuk mjafton dhe ajo si e vetme nuk të shpie në lumturi. Mes dëshirës dhe realitetit ekzistojnë mure të shumta që duhet të kapërcehen dhe gjemba në rrugë që duhen të kalohen. Shpeshherë idealet e larta janë të paarritshme dhe ata që bazohen vetëm në ideale, mashtrohen dhe shumë herë i kaplon zhgënjimi. Andaj, duhet të jetosh si realist dhe të punosh si idealist. Ne mund të zgjedhim të jetojmë një jetë që ne e duam dhe ta duam jetën që ne e jetojmë. Është zgjedhja jonë dhe ne mund ta shndërrojmë jetën në diçka madhështore pa keqardhje.
Secili njeri ka aftësi për lumturi të pafundme, nëse është i hapur dhe ndjek hapat e arritjes së lumturisë. Mos harro se dielli gjithmonë ndriçon me shkëlqimin e tij. Ai kurrë nuk ndalet. Ai ndriçon edhe atëherë kur retë e shumta e të dendura mbulojnë hapësirën e bukur te qiellit. Dielli udhëton edhe atëherë kur shiu lag tokën dhe bora mbulon atë.
Secili njeri është unik dhe i veçantë në personalitetin e tij. Si i tillë ai është përplot vlera dhe mirësi të shumta që i janë dhuruar pa ndonjë kompensim. Kjo veçanti krijon ndjenjë gëzimi e lumturie të cilën ai e përjeton në vetveten dhe brendësinë e tij. Më e rëndësishme është ana e brendshme se ajo që duket. Ka njerëz që duken të lumtur, por po t’ia lexosh zemrat e tyre do t’ia shpërthesh vajit, sikurse që ka njerëz që duken të pikëlluar e të përvuajtur, mirëpo po t’ia lexosh zemrat e tyre do të mallëngjehesh me lumturinë e tyre.
Vlerat e njeriut e bëjnë atë më të qëndrueshëm dhe më të përmbajtur, pa marrë parasysh vështirësitë dhe telashet që ballafaqohet me to. Shpeshherë në vështirësi fshihet e mira, por jo të gjithë e kuptojnë këtë.
Konstrukti yt flet për vlerën tënde. Po të duash t’i numërosh të mirat tua, nuk besoj se mund t’ia arrish fundit. Sytë, gjuha, këmbët, duart, mendja, shpirti e zemra, të gjitha këto flasin dhe të rrëfejnë në heshtjen e tyre për vlerat që posedon. Po që se je i shëndoshë, kujto se miliona njerëz janë të lidhur me vite në shtretërit e sëmundjes, e nëse je i lirë atëherë dije se shumë njerëz janë robër të burgjeve. Po pate ushqim për të ngrënë dhe ujë për të pirë, ti je në lumturi edhe nëse atë nuk e ndjen, ngase qindra mijëra njerëz vdesin nga uria dhe etja. Dikush vdes në kërkim të një gllënjke uji apo një kafshatë buke, e ti ujin e derdh andej-këndej e bukën e hedh në bërllok, nga teprimi dhe nga shpërqendrimi. Ti, përderisa mund të ecësh dhe të vraposh siç të duash, je në mirësi të madhe, ngase ka njerëz të shumtë që fare s’mund të lëvizin. Ka njerëz të verbër, të shurdhër e memecë, a nuk mendon ti për shikimin, dëgjimin dhe të folurit tënd?
Rumi thoshte se ti ka lindur me potencial. Ke lindur me mirësi dhe besim. Me ideale dhe ëndrra. Jeni lindur me madhështi. Jeni lindur me krahë, jo për zvarritje, por për të mësuar t’i përdorësh ata dhe të fluturosh.
A dëshiron të të rrëfejë një ngjarje që ta kuptosh më mirë vlerën tënde? Autori i librit Min Vesaja err-Rresul rrëfen ngjarjen në fjalë për Dhenun el-Misrij, që ky i fundit e ka përjetuar dhe e ka regjistruar, andaj edhe shprehet: “Isha duke shkuar në një anë të Shamit, vërejta një kopsht të gjelbër, në mes të të cilit ishte një djalosh që qëndronte në këmbë duke u falur nën një pemë molle. Iu afrova dhe e përshëndeta, por ai nuk mu përgjigj. E përshëndeta prapë, por ai nxitoi për në namaz, e pastaj (pasi e mbaroi namazin) me gishtin e tij shkroi në tokë:
“Gjuha më është penguar nga fjalët, ngase
ajo është pasojë e belasë dhe shkak i fatkeqësisë.
Kur të flasësh, atëherë bëhu rikujtues ndaj Zotit,
mos e harro Atë, falënderoje në çdo gjendje.”
Kur Dhennuni i lexoi këto fjalë, qau shumë, e pastaj me gishtin e tij shkroi në tokë:
“Çdo shkrues patjetër do të përfundojë
e koha do ta zhdukë atë që duart e kanë shkruar.
Mos shkruaj me dorën tënde diçka tjetër,
pos asaj që të gëzon në ditën e gjykimit kur ta shohësh.”
Pra, ti akoma nuk e di çfarë vlerash ke dhe në çfarë vlerash jeton. A të duhet që këto gjëra të flasin dhe të rrëfejnë njëra pas tjetrës për vlerat që i posedon ti, apo ndoshta ti me kohë do t’i zbulosh ato? Ato flasin dhe të tregojnë në heshtje për vlerat e tyre që ti i posedon, por ti nuk mediton rreth tyre, andaj edhe nuk i kujton ato!
A të ka ndodhur gjatë një pikëllimi a vuajtje t’i thuash vetes tënde se sa i pafat që jam? Sigurisht dhe atë shumë herë! A mund një e keqe t’i hedh në ujë njëqind të mira?
Pikëllimit tënd i gëzohet ziliqari, kundërshtari dhe armiku yt, vetëm ata e dëshirojnë një jetë të tillë për ty. Ata t’i mohojnë vlerat tua, jo pse ti nuk posedon vlera, por ngase ata janë ziliqarë, ashtu siç e ka përshkruar edhe poeti i mirënjohur Malik ibën Rrejb, i cili tha:
Unë nuk gjeta asnjë të metë ty, përveç
që jam ziliqar, e ziliqarët janë të shumtë,
Ti je sikurse shiu, që bimët janë hije,
kurse uji i tij është i pastër.
Ti ke vlerë, andaj meriton shumë në këtë jetë. Nuk meriton të jetosh i zymtë, pa shpresë dhe me plot trishtim. Nuk është me rëndësi të jetosh vetëm në bollëk dhe të posedosh gjithçka që dëshiron. Është me rëndësi që shpirtit tënd t’i sillesh paqe e gëzim, t’ia kujtosh vetes vlerat dhe mirësitë e shumta.
Duhet ta njohësh paqen e shpirtit në jetën tënde në mënyrë që shqetësimet dhe problemet e akumuluara të zhduken apo së paku të pakësohen. Nuk mund të jetosh i qetë nga jashtë kur nga brenda jeta është e zymtë dhe atë e ka kapluar mërzia dhe trishtimi.
Do të tregoj një detaj të shkurtër në lidhje me këtë për piktorin e njohur Vincent Van Gogu. Sigurisht se këtu nuk do të tregoj për vuajtjet dhe sfidat e tij në rrugën e pikturimit. Do të tregoj një detaj tjetër për të. Do të tregoj për dëshirën e tij. Ai ka pasur një dëshirë të kamotshme, që ta pikturoj perëndimin e diellit. Përfundimisht ai e ka pikturuar perëndimin e diellit. Atë ditë që ka përfunduar pikturën e tij për perëndimin e diellit, e shkroi letrën ku tha: “Puna ime është e kryer, unë jam plot. Unë e kam jetuar këtë jetë pafundësisht i lumtur.” Atëherë ai bëri vetëvrasje ndonëse kishte vetëm tridhjetë e shtatë vjet. Pyetjet mund të jenë të pafundme se çfarë e shtyu atë në një veprim të tillë, por mendoj se ai nuk i dinte vlerat e tij dhe ndoshta pse të tjerët nuk e çmonin për pikturat e tij të bukura, u zhgënjye aq thellë, saqë në rininë e tij projektoi përfundimin e jetës së tij. Nuk mendoj se fundi i tij përshtatet me fjalët e tij të fundit: “Unë e kam jetuar këtë jetë pafundësisht i lumtur.” Piktura e perëndimit të diellit simbolizon përfundimin e jetës së tij. Për më pak se një dekadë ai prodhoi më tepër se dymijë punime të artit, ku tetëqind prej tyre ishin piktura në vaj. Sot, ai kujtohet ndër piktorët më të njohur, por bota e mban mend si një njeri të përvuajtur që me skamje të mëdha dhe në kushte të vështira arriti të pikturonte piktura të vlerësuara. Jeta sociale e vështirë dhe sfidat e mëdha nuk e ndaluan atë të hapëronte drejt shtigjeve të suksesit, ndonëse ishte pa përkrahje dhe thuajse askush s’e çmonte atë.
Në këtë jetë ti vjen i mbushur dhe i rrethuar me vlera, madje që nga lindja jote e deri në vdekjen tënde. Por, ti mund t’i margjinalizosh ato, mund t’i mohosh dhe nganjëherë mund të thuash se këto nuk janë vlera. Ndoshta nga një problem i vogël ti mohon njëqind vlera të mëdha! Kur je në lumturi ti sigurisht se nuk e mendon fare pikëllimin. Por, as në pikëllim nuk e mendon lumturinë. Këto dy gjëra i japin vlerë dhe mësim jetës tënde. Pa këto dyja, jeta nuk mund të kuptohet drejt. Sfidat e jetës asnjëherë nuk i humbin vlerat tua. Ato të japin forcë që të bëhesh i palëkundur ndaj tyre.
Mr. Ejup Haziri

