Nëna e besimtarëve Aisha Ummu Abdullah (r.anha), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Një ushtri do të niset të sulmojë Qaben, por, kur të arrijë më pranë një toke të shkretë, e gjithë ushtria do të fundoset, nga fillim deri në fund.”

Aisha (r.a.), thotë se e ka pyetur Profetin Muhamed (a.s.):

“O i Dërguari i Allahut! Përse do të fundosen të gjithë kur midis tyre mund të ketë njerëz që kanë dalë për tregti dhe nuk kanë ndonjë qëllim të keq?”

I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Ata do të fundosen të gjithë përnjëherësh. Ndërsa në botën tjetër do të ringjallen sipas qëllimit që kanë pasur.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Buju, 49; Haxh 49, Muslim, Fiten 4-8. Shih. Tirmidhi, Fiten 21; Nesai, Menasik 112; Ibni  Maxhe, Fiten 30.)

 

Aisha (r.anha).

Aisha (r.a.), ishte bashkëshortja e Profetit tonë (a.s.) dhe, njëkohësisht vajza e Ebu Bekrit (r.a.), shokut të tij më të ngushtë. Ajo njihej si “Aisha Besnike”. Nëna e saj ishte Ummu Ruman, një grua të cilën Profeti (a.s.), e vlerësonte  shumë.

Aisha (r.a.), ka lindur në Mekë. Lidhur me datën e lindjes ka mendime të ndryshme. Profeti (a.s.), mori vendimin për t’u martuar me Aishan (r.a.), në Medinë, vitin e dytë të Hixhretit (emigrimit), pasi një melek iu shfaq në ëndërr tre herë me radhë dhe, duke i treguar Aishan (r.a.), i tha: “Kjo është bashkëshortja jote!”.

Aisha (r.a.), shkoi si nuse në një shtëpi të vogël me gjerësi 6 krahë, ngjitur me Xhaminë e Profetit (a.s.). Për shkak se dera e shtëpisë së saj hapej direkt në Xhami, ajo kishte mundësinë të dëgjonte të gjitha hutbet, ligjëratat dhe bisedat fetare të Profetit (a.s.). Në sajë të zgjuarsisë,  memories së fortë dhe oratorisë së saj, ajo gëzonte admirimin e Profetit (a.s.). Për këtë arsye, edhe Profeti (a.s.), ndjente kënaqësi nga bisedat me të dhe përgjigjet që i jepte pyetjeve të saj të pafundme.

Aisha (r.a.), nuk pati fëmijë. Mirëpo, thirrja e saj me emrin Ummu Abdullah (Nëna e Abdullahit) ishte një emër që ia kishte vendosur vetë Profeti Muhamed(a.s.). Në fakt, vendosja e emrave të tillë ishte shumë e përhapur midis arabëve, pa dallim gjinie. Profeti (a.s.), thoshte se “tezja konsiderohej si nënë”. Prandaj, ai ia vendosi Aishas (r.a), këtë emër për shkak të Abdullah ibni Zubejrit, të birit të motrës së saj, Esmasë (r.a.).

Aisha (r.a.), natën e kalonte duke falur namaz dhe pjesën më të madhe të kohës agjëronte. Ajo kujdesej për jetimët, i edukonte ata dhe më pas i martonte.

Aisha (r.a.), ka transmetuar nga Profeti (a.s.), 2210 hadithe (bashkë me përsëritjet e tyre). Ajo ishte midis shtatë sahabëve që dinin më shumë hadithe. Po ashtu, ajo ishte e aftë të kuptonte dhe interpretonte Kuranin me detaje. Përveç këtyre, ajo ishte njohëse e mirë e poezisë dhe gjenealogjisë së arabëve. Ajo i mësoi Islamin shumë njerëzve.

Lidhur me datën e vdekjes së nënës sonë Aisha (r.a.), ka transmetime të ndryshme si, në vitin 55, 56, 57, 58 dhe 59 Hixhri. Ndërsa lidhur me moshën e saj, thuhet se ka qenë, 65, 66, 67, ose edhe 74 vjec. E gjithë kjo, tregon se ashtu si për datën e lindjes, edhe për datën e vdekjes së saj, nuk ka një datë që të pranohet unanimisht nga të gjithë, ose shumica e dijetarëve.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

 

Shpjegime

Hadithi jep informacion për fatkeqësinë që do t’i ndodhë një ushtrie, e cila do të niset me qëllimin për të rrënuar Qaben. Fatmirësisht, kjo ngjarje e shëmtuar nuk ka ndodhur ende. Por, Qabeja është sulmuar disa herë gjatë historisë. Një prej sulmeve ndaj Qabes ka ndodhur në vitet e para të sundimit Emevit.

Nipi i Aishas (r.a.), Abdullah ibni Zubejr (r.a.), në vitin 72 Hixhri e shpalli veten kalif dhe, si qendër të kalifatit zgjodhi Mekën. Guvernatori Emevit, Haxhaxh ibn Jusuf, rrethoi Mekën dhe filloi goditjen e Qabes me katapultë. Abdullah ibn Zubejr (r.a.), luftoi kundër tyre së bashku me shokët derisa ra dëshmor në vitin 73 Hixhri.

Një tjetër shkatërrim i Qabes, ndodhi në shekullin e IV Hixhri, nga ana e Karmatitëve[1], të cilët kishin formuar një shtet të pavarur në zonën Ahsan të Gadishullit Arabik. Në vitin 317 Hixhri (929), këta njerëz të pashpirt sulmuan Qaben dhe, pasi vranë shumë myslimanë që bënin tavaf rreth Qabes, e shkulën nga vendi gurin e zi dhe e morën me vete në vendin e tyre. Më vonë, pas 20 vjetësh, ata e sollën gurin e zi dhe e vendosën përsëri në vendin e vet.

Surja Fil në Kuran, tregon se si Allahu e shkatërroi ushtrinë e Ebrehesë të pajisur me elefantë që erdhi për të sulmuar Qaben. Kështu, edhe ky Hadith tregon se Allahu do ta mbrojë përsëri Qaben nga një sulm që do të ndodhë në të ardhmen. Mirëpo, disa hadithe të saktë, na paralajmërojnë se me afrimin e Ditës së Kiametit, Qabeja nuk do mbrohet më dhe se “ajo do të rrënohet nga një person me këmbë të holla nga Etiopia[2].

Vendi se ku do të fundoset kjo ushtri që do të vijë të rrënojë Qaben, nuk është përcaktuar. Por, lind pyetja: “Përse do të fundosen disa njerëz të pafajshëm, të cilët nuk kanë ndonjë qëllim të keq ndaj Qabes?”

Përgjigja e kësaj pyetje është se: Ka gjynahe të tilla, dënimi i të cilave nuk prek vetëm personin që i bën, por edhe ata që kanë heshtur ndaj tyre. Prandaj, nuk duhet qëndruar indiferent ndaj së keqes dhe nuk i duhet lënë hapësirë dominimit të saj, me qëllim që të mos përballemi me fatkeqësi të tilla, siç përmendet në Hadith. Nëse nuk kemi mundësi të pengojmë të keqen, atëherë duhet të largohemi sa të mundemi prej saj.

Një nga çështjet për të cilat na tërheq vëmendjen ky Hadith, është rreziku i qëndrimit pranë njerëzve të këqij. Por, më e keqja e këtyre rreziqeve, është se dëmet e tyre përhapen në shoqëri si një sëmundje epidemike. Përveç kësaj, njerëzit që i shohin të mirët përkrah të këqijve, pandehin se të këqijat që bëjnë ata, janë të parëndësishme. Por  më e keqja e të keqes, është se, siç theksohet edhe në Hadith, dënimi do t’i përfshijë edhe ata që qëndruan pranë të këqijve.

Ajeti “Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq!..” [Enfal, 25.], thekson pikërisht domosdoshmërinë e qëndrimit larg ndaj të keqes.

Gjithashtu, edhe tërheqja e vëmendjes dhe përpjekja për të penguar të keqen, është detyrë e domosdoshme. Njerëzit e pajisur me moral dhe dituri, duhet të shkojnë pranë të këqijve dhe t’u tregojnë atyre të mirën, të drejtën dhe të bukurën.

Një pyetje tjetër që mund të vijë ndërmend është: “Përderisa të fshehtën e di vetëm Allahu, si e mësoi Profeti (a.s.), këtë ngjarje e cila do të ndodhte në të ardhmen afër Ditës së Kiametit?”

Përgjigjen e kësaj pyetje, na e jep ajeti Kuranor: “Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur.” [Xhin, 26-27.]

Nga kjo kuptohet qartë se, informacioni në lidhje me këtë ngjarje, i është dhënë Profetit tonë (a.s.), nga Allahu i Madhëruar.

Nga ana tjetër, Hadithi na mëson se armiqtë e vendadhurimeve nuk do të mungojnë asnjëherë gjatë gjithë historisë dhe se ata do të shfaqen në periudha të ndryshme të historisë me armë dhe pamje të ndryshme. Ne, të gjitha xhamitë i quajmë shtëpi të Allahut. Por Qabeja, si pika orientuese e të gjitha xhamive, është shtëpia më e madhe e Allahut. E, përderisa asnjëherë nuk do të mungojë ata që duan ta rrënojnë atë, edhe armiqtë e xhamive të tjera do të shfaqen në çdo periudhë.

Çështja më kryesore që synon të tregojë ky Hadith, është rëndësia e qëllimit. Ndër ata që shkojnë për të shembur Qaben, mund të ketë edhe njerëz të pafajshëm. Një pjesë e këtyre mund të jenë detyruar të shkojnë me zor në luftë, ndërsa një pjesë tjetër mund të jetë gjendur rastësisht aty. Mirëpo, dënimi në këtë botë i këtyre personave që gjenden midis të këqijve, edhe pse nuk mendojnë të bëjnë ndonjë të keqe, është asgjësimi së bashku me të këqijtë. Kurse në botën tjetër, ata do të gjykohen sipas qëllimit. Nëse qëllimi i tyre ka qenë i keq, do të shkojnë në Xhehenem, e nëse ka qenë i mirë, do të shkojnë në Xhenet.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Veprat fitojnë vlerë sipas qëllimit. Ata që kryejnë një punë me qëllim të mirë, do të shpërblehen. Kurse ata që bëjnë një vepër të keqe padashur, nuk do të dënohen, sepse qëllimi i tyre nuk ka qenë i keq.
  2. Qëndrimi mes të këqijve, bën që numri i tyre të duket i madh dhe, në të njëjtën kohë bëhet shkak i shtimit të tyre.
  3. Ata që nuk qëndrojnë larg të këqijve, do të përjetojnë të njëjtin dënim si ata në këtë botë.

[1] – Karmatitët (arabisht قرماطة): Një grup i dalë prej medh’hebit Ismailije të Shiiave.

[2] –  Buhari, Haxh 47, 49; Muslim, Fiten 57-59.

Share.

Comments are closed.