Për sa kohë vazhdon të shërbejë në rrugën e Allahut, shërbyesi duhet të përparojë edhe nga ana shpirtërore. Ai duhet t’i përkushtohet shpirtërisht Allahut dhe të përpiqet t’i kryejë detyrat e tij me sinqeritet, edukatë dhe modesti.

Nëse shërbyesi në rrugën e Allahut nuk zhvi­llohet shpirtërisht, egoja e tij merr përparësi dhe shërbimet që kryen nuk japin asnjë fryt. Si për­fundim, nuk arrihet asgjë tjetër përveç lodhjes së kotë. Kjo, sepse qëllimi dhe përpjeka e tij është e dobët dhe për këtë shkak, ai privohet nga ndih­ma hyjnore. Ndaj, për të fituar mirësinë e Allahut, duhet t’i japim rëndësi pjekjes së zemrave tona me ndjenjën e devotshmërisë.

Për të kryer një shërbim të suksesshëm e të pranueshëm tek Allahu, kërkohet zgjuarsi. Dhe kjo arrihet vetëm duke qenë një rob i dashur i Allahut. Ndërsa mënyra për ta arritur këtë, shpjegohet qartë në këtë hadith kudsij:

“…Robi im nuk mund të më afrohet me asgjë më të dashur se farzet, me të cilat e kam urdhëruar. (Nëse përveç farzeve) ai vazhdon të më afrohet me adhurime nafile/vullnetare dhe më në fund Unë e dua atë. Dhe kur Unë e dua robin tim, bëhem veshi i tij që dëgjon, syri i tij që shikon, dora e tij me të cilën mban dhe këmba e tij me të cilën ecën. Unë i jap atij çfarëdo që të kërkojë prej meje dhe e mbroj atë, nëse strehohet tek Unë.” (Buhariu, Rikak, 38)

Ruajtja e gjallërisë së zemrës dhe përparimi në fushën shpirtërore, varen nga pastërtia e zemrës, e cila është edhe vend-shikimi hyjnor. Kjo mund të arrihet duke pasur kujdes këto pika:

  1. Të bësh kujdes që risku të fitohet në rrugë të lejuar (hallall).
  2. Të respektosh të drejtat e njerëzve dhe kri­jesave të tjera.
  3. Të lutesh dhe të kërkosh falje vazhdimisht.
  4. Të lexosh Kuranin Kerim dhe të pranosh vendimet e tij.
  5. Ti kryesh adhurimet me devotshmëri e për­kushtim.
  6. Të thellohesh në meditim dhe në çdo gjë e në çdo vend të shohësh madhështinë e fuqisë hyjnore.
  7. Të gjallërosh netët. Nëse i ndriçojmë netët tona nga ana shpirtërore, kjo do të reflektohet pozitivisht edhe gjatë ditëve tona. Agimi është koha më e çmuar. Ta çosh dëm këtë kohë, është humbje e madhe në aspektin shpirtëror.
  8. Të përmendësh vazhdimisht Allahun.
  9. Të meditosh rreth vdekjes.
  10. Të qëndrosh me njerëz të sinqertë dhe të besueshëm e të largohesh prej njerëzve dyfytyrësh e gjynahqarë.
  11. Të marrësh pjesë në bisedat fetare të dijetarëve dhe njerëzve të urtë, të cilët i zbatojnë në jetën e tyre dijet që zotërojnë.
  12. Të jesh pranë njerëzve që dhurojnë për hir të Allahut.

Shërbyesit që merren me edukimin e njerëzve, si edukatorët, hoxhallarët dhe mësuesit e kanë për detyrë që në radhë të parë, të përsosin botën e tyre shpirtërore. Gjendja e atyre që nuk e kanë përsosur botën shpirtërore, u përngjan mureve të një ndërtese pa themel, e cila është e dënuar që pas njëfarë kohe të shembet e të prishet. Vetëm ata që ua hapin zemrën krijesave dhe i përqafojnë ato, si Behaudin Nakshibendiu, Mevlana, Junus Emre dhe të dashur të tjerë të Allahut, do të vazhdojnë të jetojnë deri në Kiamet edhe pas jetëve të tyre të përkohshme. Po ashtu, në shkollat e tyre do të vazhdojnë pa ndërprerje edhe mësimet për njohjen dhe dashurinë e Allahut.

Share.

Leave A Reply