Ebu Ibrahim Abdullah Ibni Ebu Eufa (r.anhuma), transmeton se, një ditë, kur po prisnin armikun në një betejë, i Dërguari i Allahut (a.s.), priti derisa Dielli anoi nga perëndimi dhe më pas u ngrit e tha:

“O njerëz, mos e dëshironi përballjen me armikun dhe lutuni Allahut për shëndet! Por, kur të përballeni me armikun, duroni (rezistoni) dhe dijeni se Xheneti është nën hijen e shpatave.” Pastaj, i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“O Zoti im, Zbritësi i Librit, Lëvizësi i reve, Shpartalluesi i aleancës (së të keqes në luftën e Hendekut), shpartalloi ata (armiqtë tanë) dhe na ndihmo kundër tyre!”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Xhihad, 112; Muslim, Xhihad, 20.)

Abdullah Ibni Ebu Eufa (r.a.).

Abdullah Ibni Ebu Eufa (r.a.) dhe babai i tij, ishin të dy sahabe të Profetit (a.s.). Ai ka marrë pjesë në Besatimin e Riduanit, në betejën e Hunejnit dhe betejat e tjera më pas. Llagapi i tij, ka qenë Ebu Ibrahim. Abdullahu (r.a.), nuk është larguar nga Medina derisa ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (a.s.). Më pas, ai shkoi në Kufe. Abdullahu (r.a.), ka transmetuar 95 hadithe, 10 prej të cilave shënohen në mënyrë të përbashkët edhe nga Buhariu, edhe nga Muslimi. 5 të tjera vetëm nga Buhariu dhe një transmetim tjetër, vetëm nga Muslimi. Abdullahu (r.a.), i cili humbi shikimin nga fundi i jetës, ka qenë edhe sahabi i fundit që ka ndërruar jetë në Kufe.

Allahut qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Imam Neveviu, Hadithin lidhur me pikën më të rëndësishme ku nevojitet durimi, pra xhihadin (luftën për hir të Allahut) e ka vendosur në fund të temës së durimit. Fakti që i Dërguari i Allahut (a.s.), ka pritur animin e Diellit nga perëndimi për të luftuar me armikun, duhet të ketë qenë me qëllim që të freskohet disi moti dhe të hyjë koha e namazit, në të cilën lutjet janë më të pranuara.

Të dëshirosh të përballesh me armikun, do të thotë se në një farë kuptimi, i beson së tepërmi vetes dhe e nënvleftëson armikun. Të kërkosh të përballesh me armikun, është një dobësi morale, ndërsa t’i besosh së tepërmi vetes, është një gabim i madh taktik. Që të dyja këto, i përgatisin njeriut jo triumfin, por humbjen dhe pendimin. Ky Hadith, i cili do të përsëritet edhe në hadithet me numër 1327 dhe 1354, është në përputhje të plotë dhe ecën paralel me këto ajete fisnike:

“O besimtarë, kur të përballeni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni. Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit. Mos u bëni si ata (jobesimtarët e Mekës) që dolën nga shtëpitë e tyre me mendjemadhësi e për sy e faqe të botës, duke dashur t’i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut!..” [Enfal, 45-47.]

Ashtu siç tha edhe i Dërguari i Allahut (a.s.), ajo që duhet bërë, është të kërkosh shëndet prej Allahut. Dhe, padyshim se t’i kërkosh Allahut shëndet dhe mirësi në të dyja botët dhe një jetë pa probleme e vështirësi, është gjëja me e natyrshme. Njeriu i mençur, nuk e kërkon belanë me duart e veta. Mirëpo, besimtari i cili përballet me armikun pa e lutur këtë, ai duhet të mbajë qëndrimin e një besimtari të vërtetë, duke bërë durim dhe rezistencë. Kjo, sepse një nga rrugët që të çojnë në Xhenet, është edhe xhihadi. Pra, kjo kuptohet edhe nga shprehja: “Xheneti është nën hijen e shpatave!”. Durimi ndaj pasojave të luftës, vështirësive dhe dhimbjeve, të sjell edhe fitoren e luftës, edhe fitimin e kënaqësisë së Allahut.

Sipas një transmetimi tjetër të Buhariut, lutja që i Dërguari i Allahut (a.s.), bën në fund të Hadithit, është bërë në Betejën e Hendekut. Në këtë mënyrë, del në pah edhe fakti që lutja është një ndihmëse e madhe në durimin ndaj belave, fatkeqësive dhe armikut. Po ashtu, edhe në ajetin e sipërpërmendur, shprehja, “…kur të përballeni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni!..”, tërhiqet vëmendja në një lidhje të fortë midis durimit, përmendjes dhe lutjes së Allahut.

Prandaj, mund të themi se: Durimi, i cili në Hadithin e parë u përkufizua si “zija / ndriçues” dhe ky ndriçim që i jep njeriut forcën e rezistencës, e shton përmendjen e Allahut dhe përgjërimin ndaj Tij. Ne si myslimanë, e kemi për detyrë ta ndihmojmë durimin tonë me lutjet tona dhe veten tonë me durimin tonë. Në këtë mënyrë, do të arrijmë të bëhemi myslimanë të fortë dhe rezistentë ndaj të gjitha vështirësive të jetës. Allahu na ndihmoftë!

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Durimi në luftë, është kushti themelor i arritjes së fitores.
  2. Vendi ku durimi është më i domosdoshëm, është ai përballë armikut.
  3. Durimi është tregues i një besimi të fortë tek Allahu.
Share.

Leave A Reply