Allahu i Lartë nuk e la pa kujdestar dhe mbrojtës njeriun e dashur të Tij i cili, pas të atit, e humbi edhe nënën. Jetimin e Bekuar e rrethoi me kujdes e dashuri i gjyshi Abdylmuttalib duke i treguar atij dhembshurinë dhe dashurinë që s’ua pati treguar asnjërit prej fëmijëve të vet!

Kur Abdylmuttalibi flinte apo ndodhej i vetëm në dhomë, askush nuk mund t’i shkonte pranë. Kurse Drita e Dy Botëve nuk ndahej kurrë prej të gjyshit dhe mund të hynte e dilte lirisht në dhomë e t’i shkonte pranë edhe kur flinte apo ndodhej i vetëm!71

Mbi minderin që ndodhej nën hijen e Qabes dhe që i përkiste Abdylmuttalibit, nuk ulej asnjëri nga të bijtë, duke shfaqur, kështu, një respekt të veçantë për të atin. Por ndërsa ata rrinin në këmbë përreth të atit, Profeti vinte e ulej lirisht në minderin e të gjyshit. Dhe kur të ungjit deshin ta ngrinin nga minderi, Abdylmuttalibi u thoshte:

“Lërmani djalin! Vallahi, ky do të bëhet i shquar e i famshëm!”

Dhe, duke thënë kështu, e afronte më pranë dhe ia fërkonte kurrizin. Çdo gjë që bënte i nipi i bukur, i pëlqente të gjyshit!72

Abdylmuttalibi nuk fillonte nga buka pa ardhur në sofër i nipi i cili në të ardhmen do të bëhej Zotëria i Gjithësisë, dhe thoshte: “Sillmani pranë djalin!” Dhe, kur vihej gjella, e merrte pranë, disa herë e ulte në gjunjë dhe e ushqente me pjesën më të mirë e më të shijshme të ushqimit.74

Në ditët kur sundonte thatësira dhe zia e bukës, kur njerëzit vuanin shumë, mekasit kishin dalë në malin Ebu Kubejs për lutjen e shiut. Edhe Abdylmuttalibi u ngjit në mal bashkë me të nipin shtatëvjeçar që e kishte marrë në sup. Pjesëmarrësit u rreshtuan pranë tij. Me fëmijën në supe, Abdylmuttalibi ngriti duart drejt qiellit dhe u lut. Atëherë, njerëzit s’ishin larguar ende që aty kur filloi të zbrazej një shi sikur të ishte çarë qielli i cili po e lëshonte ujin me bujari të madhe! Lugina e Mekës u mbyt në mëshirë!75

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u bë tetë vjeç, i vdiq edhe i gjyshi Abdylmuttalib.

Në këtë mënyrë, të gjitha mbështetjet formale e të përkohshme morën fund. Pas kësaj, kujdestari, mbrojtësi dhe edukuesi i tij u bë Zoti i tij. Në të njëjtën kohë, mbështetjet formale e të përkohshme të dukura në periudhën më të dobët të jetës së profetit të ardhshëm, ngriheshin vetëm mbi urtësinë që ai, me të gjitha qëndrimet dhe sjelljet e tij, të bëhej për njerëzimin një shembull i përsosur dhe mundësisht i imitueshëm.

Lënia me kohë e Hz. Muhammedit (s.a.s.) pa kujdesin dhe mbrojtjen e prindërve ka edhe disa urtësi. Më e rëndësishmja e këtyre është që të mos u jepej rast pretendimeve që mund të hidheshin, sipas të cilave, ai mund t’i kishte marrë me porosi të të atit dhe gjyshit parimet e para mbi profetësinë dhe ftesën profetike.

Veç kësaj, duke mbetur pa prindërit dhe të gjyshin, i Dërguari i Allahut u mbrojt nga zakonet dhe traditat e kohës të cilat kalonin nga baba te biri, dhe u edukua krejtësisht nën edukimin e Zotit të vet pa e prekur dora e njeriut! Kështu, në një hadith, ai thotë:

“Mua më edukoi Zoti im dhe sa të bukur ma dha edukatën!” (Sujuti, I, 12)

Një urtësi tjetër e rritjes së tij si jetim ishte që zemra t’i bëhej më e ndjeshme dhe të arrinte pjekurinë për t’iu dorëzuar vetëm Allahut. Me të vërtetë, ngaqë e shijoi me të gjithë intensitetin dhimbjen e bonjakërisë dhe dobësisë, Profeti (s.a.s.), gjatë gjithë jetës, u bë gjithmonë mbrojtësi i njerëzve të dobët. Në një hadith ai është shprehur si më poshtë, njëkohësisht duke bërë shenjë me gishtin tregues bashkë me gishtin e mesit:

“Me personin i cili e mbron jetimin e vet apo jetimin e dikujt tjetër, unë do të jem kështu, bashkë, në xhennet!” (Muslim, Zuhd, 42; Shih. Buhari, Edeb, 24; Talak, 14)

Dhe një urtësi tjetër është kjo: Me qëllim që çdo njeri, i cili ndodhet në çfarëdo pozite të jetës, të ketë mundësi ta marrë Profetin si model për pozitën dhe kushtet e veta, Allahu i Lartë e bëri atë ta fillonte jetën nga gjendja më e dobët shoqërore siç është bonjakëria, dhe, duke e kaluar nëpër shkallë të ndryshme, të ngjitej gjer në pozitën e kryetarit të shtetit!

Share.

Comments are closed.