Qyteti i Pompeit, i cili është simboli i degjenerimit të Perandorisë Romake, ndodhet në Itali. Edhe qyteti i Pompeit është shkatërruar për shkak të perversiteteve seksuale.

Shënimet historike e përshkruajnë gjendjen e qytetit para shkatërrimit dhe asgjësimit si një perversitet të plotë, paturpësi dhe imoralitet krejt të skajshëm. Shpërthimi i befasishëm i Vezuvit shtatëdhjetë vjet pas Isait (a.s.), e ka fshirë në çast qytetin me anë të llavës së tij duke mos i dhënë  mundësinë askujt të shpëtojë. Perversët janë ngurtësuar ashtu siç kanë qenë, në kulmin e dëfrimit të tyre krejt sheshit. Kjo ngjarje ka ndodhur tepër shpejt, si të thuash, “në një çast”. Të gjithë imoralët janë kapur në çast nga ndëshkimi hyjnor. Mbeturinat e tyre, duke ardhur gjer në ditët tona të paprishura fare, shpalosin një mësim të madh!

Në Kuran, për dukuri asgjësimi të ngjashme me këtë, urdhërohet:

(Mjaftoi për t’i dënuar ata) vetëm një zë i tmerrshëm, pas të cilit u shuan përnjëherësh.” (Jasin, 29)

“Sa e sa brezni kemi shkatërruar Ne para tyre! Vallë, a po sheh ndonjërin prej tyre dhe a po dëgjon pëshpëritjen më të vogël të tyre?!” (Merjem, 98)

Për ata që nuk e shohin të vërtetën dhe i vëzhgojnë ndodhitë vetëm me ndjenja egoiste, duke u privuar nga kuptimi i të vërtetës, këto shenja janë vetëm mbetje arkeologjike.

Pallatet me gurë të gdhendur të Adit dhe Themudit që e patën idhujtarizuar egon e vet dhe vendbanimet e të pafatëve të paturpshëm, të pandershëm e të harbuar të Sodomës dhe Gomorrës, që u fundosën nën tokë, janë shembuj konkretë për të gjithë njerëzimin!..

 

Shkatërrimi i popujve dhe mbrojtja e brezave

“A nuk kanë dëgjuar ata për popujt që kanë qenë më përpara: për popullin e Nuhut, për fiset Ad dhe Themud, për popullin e Ibrahimit, për banorët e Medjenit dhe për qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit)? Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta. Allahu nuk u bëri padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” (Teube, 70)

Në këtë botë sprovash, e cila duhet jetuar me një vigjilencë serioze, në të shumtën e kohës, njerëzimi ka qenë në gjumin e indiferentizmit. Ky gjumë, e ka futur njerëzimin në injorancë dhe devijim, duke e zvarritur atë në një përfundim të hidhur dhe fatkeq.

Fatkeqësitë që u ranë të devijuarve, të cilët u ndanë prej rrugës së besimit dhe moralit, janë të mbushura me ndëshkime hyjnore. Njerëzit mendjemëdhenj të popujve të Nuhut, Adit dhe Themudit; Faraoni që luftoi me profetët, që e pandehte veten zot dhe që më në fund u mbyt në ujë; Nemrudi, i cili u mund nga një mizë; populli imoral i Lutit (a.s.) dhe të ngjashëm me të, të cilët bënin një jetë më të ulët se ajo e kafshëve, kanë ardhur dhe kanë shkuar bashkë me padrejtësitë dhe kryeneçësitë e tyre.

Shkaqet kryesore të shkatërrimit të popujve që kanë jetuar përgjatë historisë, janë mohimi, imoraliteti dhe padrejtësia. Shkatërrimi i popujve mizorë dhe mohues, është një tablo ndëshkimi shumë rrëqethëse. Megjithëse kanë kaluar shekuj të tërë, sot në Pompe ekspozohen shembuj mësimdhënës të njerëzve imoralë, të cilët janë kthyer në gurë!..

Pallatet me gurë të gdhendur të Adit dhe Themudit që e patën idhujtarizuar egon e vet dhe vendbanimet e të pafatëve të paturpshëm, të pandershëm e të harbuar të Sodomës dhe Gomorrës, sot janë vetëm disa gërmadha të heshtura.

Pas tyre nuk qau as qielli, nuk lotuan as sytë dhe nuk rënkuan as zemrat. Përkundrazi, ata u varrosën në plehërishten e historisë duke marrë me vete edhe mallkimet e njerëzve të shtypur.

Historia e mohimit, kryeneçësisë, mizorisë dhe padrejtësisë, është e mbushur me shembuj të tmerrshëm të hakmarrjes hyjnore. Ata që e kundërshtuan udhën që u treguan profetët dhe u rebeluan ndaj Allahut, herët a vonë, janë përballur me shfaqjet e tmerrshme dhe ndëshkimin e dhembshëm hyjnor. Ky është një ligj hyjnor i pandryshueshëm.

Allahu i Madhëruar, profetët e Vet i ka dhuruar si burim shërimi për plagët e shoqërive të cilat janë shfaqur për shkak të dëshirave egoiste të njerëzve. Mirëpo, ata që janë mashtruar prej bukurisë së kësaj bote, janë ndarë nga horizontet e ndritshme që kanë hapur profetët, duke u kthyer në gërmadhat e frikshme të fatkeqësisë së përjetshme. Ata i kthyen popujt e tyre në gërmadha dhe kanë përfunduar në disfatë duke e pandehur lumturi mjerimin në të cilin ndodheshin. Për shkak se nuk arritën të kuptonin urtësinë dhe misterin e krijimit, ata imituan jetën e kafshëve dhe si përfundim merituan ndëshkimin hyjnor, duke u shkatërruar përjetësisht.

*

Ashtu si ndjenja e “urisë” tek njeriu, e cila vjen prej nevojës për elemente jetësore të trupit, ashtu edhe kërkimi i Allahut nga njerëzit në kohë vështirësish, vjen prej nevojës shpirtërore. Kur Ibrahimi (a.s.), u hodh në zjarr, Nemrudi, i cili e pa se zjarri nuk e dogji atë, tha: “Unë s’mund të heq dorë nga konsiderimi i vetes si zot, por për Zotin tënd do të pres katërmijë qe!..”. Po ashtu, edhe faraoni i cili e kuptoi se do të mbytej në ujë, tha: “I kam besuar Zotit të Musait!..” Këto shembuj tregojnë qartës se, kur mohuesit zihen ngushtë dhe ndiejnë se do të vdesin; kur ata ngelen pa ngushëllim dhe mbrojtje, vijnë në vete dhe arrijnë të pranojnë të vërtetën brenda vetes së tyre. Dhe kjo, vjen për shkak të nevojës së natyrshme që njeriu ka për Zotin.

Vdekja, është anulimi i të gjitha argëtimeve të kësaj bote. Në të njëjtën kohë është edhe fundi i të gjitha marrëdhënieve të përkohshme. Për këtë arsye, njerëzit e ditur dhe të mirë, i janë afruar së vërtetës duke qëndruar vazhdimisht me Allahun. Nëse kërkohet të ikësh dhe të frikësohesh prej vdekjes, duhet të dridhemi nga frika kur afrohen netët. Mirëpo, ndërkohë që zhytemi në errësirën dhe misterin e netëve, ne nuk ndjejmë asnjë frikë brenda vetes. Kjo, sepse ne e dimë se ardhja e mëngjesit është një rregull i krijimit dhe një ligj hyjnor. I Lartmadhëruari urdhëron:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّ وَعْدَ اللَّـهِ حَقٌّ ۖ فَلَا تَغُرَّنَّكُمُ الْحَيَاةُ الدُّنْيَا ۖ وَلَا يَغُرَّنَّكُم بِاللَّـهِ الْغَرُورُ

“O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun!” (Fatir, 5)

Gjendja e atyre që dëshirojnë të arrijnë rehatinë e kësaj bote pa marrë parasysh jetën e botës tjetër; e atyre që përpiqen deri në ditën e fundit të jetës për të fituar kënaqësitë e përkohshme dhe e atyre që zbukurohen vetëm me bukuritë e kësaj bote, është thjesht një konsumim shumë i hidhur!..

Islami, urdhëron që bota të shihet me syrin e urtësisë dhe që jeta të jetohet duke ecur në rrugë të drejtë dhe në mënyrë të vetëdijshme. Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (Mu’minun, 115)

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë. A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se do t’i shpëtojnë dënimit Tonë?! Sa keq që gjykojnë ata!” (Ankebut, 2-4)

“Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?” (Kijame, 36)

Feja Islame e rregullon jetën e njeriut nga djepi deri në varr, duke e përgatitur atë për të vërtetat e botës tjetër.

Nëse njeriu jeton pa pasur asnjë qëllim në jetën e tij, duke mos arritur ta kuptojë lidhjen midis djepit dhe varrit; pa e përcaktuar pozitën dhe detyrën e tij në gjithësi dhe pa e kuptuar urtësinë dhe mësimin e vdekjes dhe përtej saj, atëherë ai është në një humbje shumë të hidhur. Kjo, nuk është gjë tjetër veçse humbje në vorbullat e vdekjes, duke lënë pas vetëm një grumbull kujtimesh të hidhura.

*

Kur profetëve u mbaronte forca njerëzore përballë mohimit dhe tiranisë së njerëzve, atyre u vinte në ndihmë ndëshkimi dhe hakmarrja e Allahut. Për rrjedhojë, pasi Nuhu (a.s.), punoi dhe duroi për 950 vjet, kur erdhi në pikën që e lanë fuqitë, u lut:

“…«Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!»” (Kamer, 10)

Në jetën e kësaj bote, njerëzit frikësohen më tepër prej tufaneve, furtunave, tërmeteve, zisë, pushtimeve të armiqve dhe sëmundjeve ngjitëse. Këto fenomene, të cilat ngjajnë thjesht si gjëra natyrore, nuk ndodhin rastësisht, por mbështeten në shumë shkaqe dhe urtësi. Këto lloj fenomenesh të dhimbshme, ndodhin për shkak të gjynaheve dhe mosbindjes së njerëzve. Në këtë mënyrë, hyjnë në fazën e realizimit edhe fatkeqësitë, si pjesë e rregullit hyjnor.

Allahu i Madhëruar, nuk është aspak mizor. Realizimi i këtyre fatkeqësive, është për shkak se njerëzit i kanë merituar ato. Ata që kundërshtojnë rregullin hyjnor dhe parimet e shenjta, nuk mund t’i ikin përballimit me zbatimin e dhimbshëm të hakmarrjes hyjnore.

Në Kuranin Fisnik, thuhet se, edhe gjethja e pemës bie në sajë të caktimit hyjnor. Përndryshe, në gjithësi do të krijohej një kaos total.

Në brendësi të të gjitha fenomeneve fizike, fshihen njëmijenjë mistere. Këto mistere, u shfaqen hapur profetëve dhe njerëzve të zemrës. Lidhur me këtë çështje, Kurani Fisnik, urdhëron:

“…Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (Kasas, 40)

“Eh, sa breza shumë më të fuqishëm Ne i kemi shkatërruar para tyre! Ata brodhën nëpër Tokë, po a mund të gjenin strehim?! Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf, 36-37)

“Sa e sa vendbanime, banorët e të cilëve kanë qenë mohues, i kemi shkatërruar; e pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë!” (Enbija, 11)

“Edhe më parë Ne kemi shkatërruar vendbanime rreth jush e u kemi shpjeguar atyre shpalljet Tona, që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë).” (Ahkaf, 27)

“Sa e sa qytete i shkatërruam, ngaqë banorët e tyre ishin të këqij dhe tani ato janë kthyer përmbys! Sa e sa puse mbetën të braktisura, sa e sa pallate të larta të shkretuara! Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (Haxhxh, 45-46)

“A nuk e shohin ata se sa brezni i kemi zhdukur para tyre?! Ata ishin njerëz që i kishim dhënë më shumë pushtet në tokë sesa ju kemi dhënë ju (mekasve)? Ne u sollëm atyre shira të bollshëm dhe bëmë që të rrjedhin lumenj nëpër viset e tyre; por, për shkak të gjynaheve të veta, i shfarosëm dhe, më pas, krijuam brezni të tjera.” (En’am, 6)

“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Rum, 41)

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 30)

“Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud, 117)

“Në të vërtetë, Allahu nuk u bën njerëzve asnjë të keqe, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes.” (Junus, 44)

Allahu ynë i Madhëruar, në sajë të besimit të Ibrahimit (a.s.), e ktheu në trëndafilishte zjarrin e Nemrudit; me anë të shkopit të Musait (a.s.), e përmbysi fronin e faraonit; me anë të ushtrisë së zogjve të vegjël, i bëri copë e çikë elefantët dhe ushtarët e Ebrehesë, i cili u përpoq të shkatërronte Qaben, duke e kthyer rrethinën e Mekës në një varrezë elefantësh; Ai ka shkatërruar shumë popuj të tillë të devijuar dhe duke e mbështetur Profetin tonë (a.s.), me fuqi të padukshme, si melekët, erën, frikën etj., i hapi atij horizontet e fitores.

Feja Islame, e fton njeriun në seriozitet dhe ia kujton atij faktin se nesër do të dalë para Allahut për të dhënë llogarinë e një jete të tërë.

Besimtari nuk mund të merret me punë të padobishme, me thashetheme, pyetje të panevojshme dhe sjellje të cilat e eliminojnë dinjitetin dhe ndjenjat fetare e morale. Ai nuk e merr mundimin të matet me injorantë, nuk vrapon pas aventurave të panevojshme dhe nuk zhytet në punë të kota, mendime boshe, teprime dhe punë pa synime. Po ashtu ai nuk shëtit as në rrugicat qorre të filozofive boshe.

Nëse jeta e kësaj bote, e cila kalon shpejt si reja në verë, jetohet pa shqetësimin e botës tjetër, kjo nuk i ngjan asgjëje tjetër përveçse konceptimit të ditës pa mbrëmje.

Mevlana i nderuar, ka thënë:

“Mos shiko të ushqesh e të zhvillosh trupin! Sepse ai është një kurban që në fund do t’i jepet tokës. Ti mundohu të mbushësh shpirtin në burimet e frymëzimit! Sepse, ai do të ngrihet lart dhe do të nderohet!..”

“Mos e ushqe shumë trupin me gjalpë e mjaltë! Sepse ai që ushqen trupin, bie pre e dëshirave të egos dhe në fund ikën e poshtërohet!..”

“Shpirtit jepi ushqime shpirtërore! Ofroi atij mendime të pjekura e të holla dhe ushqime shpirtërore, me qëllim që të shkojë i fortë atje ku ka për të shkuar!..”

Allahu i Madhëruar na ruajtë të gjithëve nga përfundimet e hidhura dhe na e bëftë të mundur të hyjmë në xhenetet e Tij të begata!..

 

Share.

Leave A Reply