VDEKJA

Çdo njeri jeton në këtë botë vetëm brenda një afati të caktuar kohor. Kur i vjen fundi afatit të tij në këtë jetë, njeriu vdes. Njeriu është një krijesë që përbëhet nga trupi dhe nga shpirti. Shpirti i fal trupit gjallëri dhe lëvizje. Kur vjen koha e përcaktuar nga Allahu, shpirti largohet nga trupi. Procesi i ndarjes së shpirtit nga trupi quhet vdekje. Vjen një ditë dhe çdo njeri vdes. Askush nuk do të shpëtojë nga vdekja.

Kjo e vërtetë shprehet në këtë formë në Kuran:

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.” (Al’ Imran, 185.)

“Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” (Nisa, 78.)

Vdekja nuk është asgjësimi final. Ajo është kalimi nga jeta e kësaj bote kalimtare, për në botën e amshuar të ahiretit. Për ata që përmbushin detyrat e tyre ndaj Allahut, vdekja është porta që hapet drejt një jete më sublime.

VARRI

Periudha prej momentit që vdes njeriu dhe deri në momentin kur do të ringjallet në Ditën e Kiametit, quhet jeta e varrit, ndërsa vendi që do të qëndrojë gjatë kësaj kohe quhet varri i tij. Kur njeriu vdes, trupi i tij dekom­pozohet, përzihet me tokën, ndërsa shpirti i tij që ndahet nga trupi nuk vdes. Kur vendoset në varr, te njeriu vijnë dy melekë, që quhen Nekir dhe Munker. Ata e marrin në pyetje atë. Atyre që i japin përgjigjen e duhur pyetjeve që i bëjnë melekët, u shndërrohet varri në vend-prehjeje, ndërsa atyre që i japin përgjigje të gabuar apo nuk dinë t’u japin përgjigje pyetjeve të melekëve, u shndërrohet varri në vend-dënimi.

Profeti ynë Muhamedi (a.s.), e ka sqaruar në këtë mënyrë gjendjen e varrit:

Varri është ose një kopsht nga xheneti, ose një gropë nga xhehenemi.” (Keshful-Hafa, vol. 2, fq. 90.)

Varri do të jetë një kopsht xheneti, ku do të prehen ata që kanë kryer me përpikëri detyrat e tyre ndaj Allahut dhe që janë sjellë mirë me njerëzit e tjerë, kurse për ata që kanë kryer vepra të këqija, varri do të jetë një gropë prej xhehenemit.

Share.

Comments are closed.