Djemtë e Jakubit (a.s.), Jehuda, Robili dhe Shemuni, nuk arrinin ta kuptonin urtësinë e kujdesit dhe dashurisë së veçantë që babai i tyre shfaqte ndaj Jusufit. Dhe, për këtë arsye ata ishin xhelozë ndaj tij.

“Vëllezërit e tij thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë po gabon. Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë.” (Jusuf, 8-9)

Pas ëndrrës që pa Jusufi, Jakubi (a.s.), e kuptoi se ai, do të ishte trashëgues i profecisë së tij. Prandaj dashuria për të iu shtua edhe më shumë. Mirëpo, edhe xhelozia e vëllezërve të tjerë, të cilët e ndjenin këtë gjë, nisi të shtohej çdo ditë e më shumë. Aq, sa kjo u bë shkak që vëllezërit t’i ngrinin kurth atij. Shtimi i dashurisë së tejskajshme të Jakubit (a.s.), ndaj Jusufit, shtoi po aq edhe sprovën dhe fatkeqësitë e tij.

Një nga emrat e lartë të Allahut të Madhëruar, është edhe “er-Rakib”, që do të thotë “vëzhgues, kontrollues i përhershëm”. Pra, Allahu i Madhëruar, i Cili vëzhgon robërit e Vet në çdo çast, vuri re se dashuria në zemrën e Jakubit (a.s.), u shndërrua në një lloj tjetër dashurie. Për këtë arsye, me qëllim që ta tërhiqte në nivelin e duhur këtë dashuri të tejskajshme në zemrën e Jakubit (a.s.), për Jusufin, Allahu i dha atij një sprovë të rëndë. Në këtë mënyrë, duke e tërhequr dashurinë e Jakubit (a.s.), drejt Vetes së Tij, i fali atij një mirësi shumë të madhe.

Në të vërtetë, Jakubi (a.s.), kishte parë dritën e profecisë në ballin e Jusufit. Për këtë arsye, ai e vlerësoi më tepër atë. Dhe, pikërisht ky anim i babait të tij, i hapi rrugën xhelozisë së vëllezërve ndaj Jusufit. Erdhi një ditë, dhe kjo xhelozi arriti kulmin, gjë e cila i bëri vëllezërit të thurnin plane të këqija për Jusufin.

Një nga mësimet më të rëndësishme që duhet nxjerrë prej kësaj historie, është se, dashuria duhet mbajtur e fshehtë dhe e heshtur në thellësi të zemrës, me qëllim që të mos shkaktojë xhelozi. Në të njëjtën kohë, kjo dashuri e tepërt që tregoi Jakubi (a.s.), ndaj Jusufit, u bë shkak që Allahu ta sprovojë Jakubin (a.s.), me ndarje nga fëmija i tij, të cilin e donte aq shumë. Kjo, sepse sprovimi i një babai me fëmijën e vet, është një sprovë shumë e madhe. Në të njëjtën mënyrë, edhe Nuhu (a.s.), u sprovua me djalin e tij. Edhe pse ai e mallkoi popullin e tij mohues të Allahut, kur e pa që djali i tij ishte duke u mbytur në ujë, nuk duroi dot dhe tha:

“O Zot im! Djali im është prej familjes sime!..” (Hud, 45)

*

Nëse zemra, e cila është qendra e ndjenjave pozitive dhe negative, nuk qëndron në rrugë të Allahut dhe nuk i nënshtrohet një pastrimi me anë të përmendjes së Tij, nxihet dhe fillon të dëshirojë të keqen. Lidhur me këtë, në një ajet fisnik urdhërohet:

“…Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Ra’d, 28)

Përmendja e Allahut, është zgjimi i vetëdijes së zemrës, si rezultat i njohjes së Zotit. Vetëm në këtë mënyrë zemra shpëton prej gjynaheve. Zemra është shtëpia e Allahut (bejtullah) dhe vendi ku del në pah dashuria ndaj Tij. Nëse zemra nuk e përmend Allahun, nxihet dhe vdes, duke u dhënë pas dëshirave të egos.

Ndjenja e smirës, është e qortuar, sepse ajo nënkupton kundërshtim ndaj urdhrit të Allahut. Ndërsa zilia ndaj virtyteve të mira tek të tjerët, është një sjellje e lavdëruar. Në një hadith fisnik,  Profeti ynë (a.s.), ka thënë: “Smira i shkrumbon të mirat, ashtu siç i shkrumbon zjarri drutë”. (Ebu Daud, Edeb 44; Ibn Maxhe, Zuhd 22.)

Smira, me tepër se të tjerët, dëmton vetë personin që e ka smirën. Kjo, i përngjan atij që gjuan të tjerët me gurë, por guri që hedh i kthehet pas dhe i nxjerr sytë. Ajo nuk bën asgjë tjetër, përveçse shton zemërimin. Dhe, për pasojë, e poshtëron dhe e turpëron njeriun. Në të njëjtën mënyrë, edhe e keqja që bënë vëllezërit e Jusufit për shkak të xhelozisë dhe smirës, në fund iu kthye përsëri atyre.

Plani tinzar

Kur të vëllezërit arritën në një mendim të përbashkët lidhur me Jusufin:

“Njëri prej tyre tha: «Nëse përnjëmend doni të bëni diçka me atë, mos e vrisni Jusufin, por hidheni në fund të ndonjë pusi, që ta marrë ndonjë karvan».” (Jusuf, 10)

Jehuda, i cili e bëri këtë propozim, arriti t’i bindë vëllezërit e tjerë. Vëllezërit e Jusufit, kishin rënë aq poshtë, sa për shkak të smirës, edhe më i mëshirshmi prej tyre propozoi hedhjen e tij në pus. Kjo, tregon se përreth njerëzve, ekzistojnë shumë armiq, që për shkak të smirës maskohen me petkun e mikut. Prandaj, është e domosdoshme të ruhemi prej tyre me aq sa kemi mundësi.

Ndërsa ata që me të vërtetë janë të udhëzuar në rrugën e drejtë, janë ata me zemër të gjallë. Në të kundërtën, zemra e cila qëndron larg përmendjes së Allahut, i nënshtrohet ndikimit të egos dhe thahet e ngurtësohet nga zjarri i epshit dhe i smirës. Kurse gjymtyrët e tij, nuk mund të kryejnë më adhurim. Zemrat që kanë rënë në këtë gjendje, ashtu si një copë dru i thatë, nuk vlejnë për gjë tjetër veçse për t’u hedhur në zjarr. Allahu na ruajttë nga një gjëndje e tillë!

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“…Mjerë ata, që për shkak të ngurtësisë së zemrës, nuk e përmendin Allahun! Ata janë në një humbje të qartë!” (Zumer, 22)

*

Si përfundim, vëllezërit e Jusufit, shkuan tek babai i tyre me planin që kishin bërë dhe i thanë:

“O babai ynë! Përse nuk ke besim tek ne në lidhje me Jusufin?! Në të vërtetë, ne i dëshirojmë çdo të mirë atij. Dërgoje nesër me ne që të argëtohet dhe të luajë. Të sigurojmë se do ta ruajmë.” (Jusuf, 11-12)

 

Share.

Leave A Reply